Teuta i shkakton humbjen e parë Kukësit dhe “kërcënon” Tiranën në krye. Ndeshja “merr flakë” në fund

Përfundon ndeshja që mbyll javën e 4 të Kategorisë Superiore. Kukësi dhe Teuta kanë dhuruar spektakël në “Elbasan Arena”. Durrsakët kanë mundur veri-lindorët në “frymën e fundit”, duke e çuar rezultatin e përgjithshëm në 2-3. Skuadra e Edi Martinit zhbllokoi shifrat pas vetëm 7 minutave lojë. Albano Aleksi kaloi në avantazh kampionët. Pas një topi të larguar nga Bytyçi, futbollisti i “Djemve të Detit” gjuajti me të majtën brenda zonës, duke tundur rrjetën.

5 minuta më vonë, Kukësi u kundërpërgjigj. Verilindorët barazuan rezultatin me sulmuesin brazilian Korreira, i cili devijoi drejt rrjetës një top të gjuajtur nga Edi Basha, pas një aksioni spektakolar.

Në minutën e 27, Kukësi përmbysi shifrat, duke u rikthyer sërish në avantazh. Kapiteni Gjelbërim Taipi u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.

5 minuta më vonë, ishin durrsakët, që iu ktheyn me të njëjtën monedhë ekipit të Longos, duke rikthyer baraspeshën. Sebino Plaku barazoi shifrat për ekipin e Edi Martinit. Sulmuesi kryeqytetas u shkëput bukur dhe mposhti portierin Tafas.

Kur mendohej se ndeshja do të mbyllej në barazim, Teuta gjeti golin e epërsisë në minutën e 45. Koumbemba nuk fali me portën e boshatisur.

Në minutën e 90+2, Gjelbërim Taipi dhe Asion Daja u ndëshkuan me karton të kuq nga gjyqtari Juxhin Xhaja. Skuadrat e mbyllin ndeshjen me 10 lojtarë.

Me këtë fitore, Teuta mban vendin e parë me 8 pikë, po aq sa Tirana, ndërsa Kukësi renditet në vendin e 3 me 7 pikë.

The post Teuta i shkakton humbjen e parë Kukësit dhe “kërcënon” Tiranën në krye. Ndeshja “merr flakë” në fund appeared first on .