Ringrihet sistemi i kullimit të tokave bujqësore në Fier

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Një nga investimet e rëndësishme në mbështetje të bujqësisë është edhe garantimi i ujitjes së tokave bujqësore.

Në këtë drejtim, ndërhyrje rrënjësore te kanalet kulluese e vaditëse si dhe te kolektorët kryesorë po bëhet në gjithë fushën e Myzeqesë.

Kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi ndau sot pamje nga ky aksion që vijon çdo ditë në zonat rurale.

Duke iu referuar ndërhyrjes në sistemin e kullimit në fshatin Sheq Marinas, Subashi tha se “ky është një proces i gjatë, i vështirë dhe shumë i domosdoshëm që merr çdo ditë vëmendjen tonë”.

Ndërhyrjet në sistemin e ujitjes kanë sjellë dyfishimin e sipërfaqes së tokës së punueshme në Shqipëri, duke e çuar atë nga 120 mijë ha në 240 mijë ha.

Ringritja e sistemit të kullimit të tokave bujqësore garanton që fermerët e fushës së Myzeqesë të mos kenë më probleme përmbytjesh të tokave bujqësore prej reshjeve që bien në stinën e dimrit.

Po ashtu, hapja e rrugëve të parcelave është një tjetër element që ecën paralel me sistemin e kullimit dhe vaditjes, në shërbim të fermerëve, prodhimit bujqësor dhe lehtësisë sipërmarrëse.

 

/m.m//a.a/

The post Ringrihet sistemi i kullimit të tokave bujqësore në Fier appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.