Akad. Gjinushi: Kompozitori Bojan Adamič i kushtoi një pjesë të jetës zhvillimit kulturor në Shqipëri

TIRANË, 4 maj /ATSH/ Në Akademinë e Shkencave u organizua sot veprimtaria kushtuar kompozitorit Bojan Adamič, në kuadër të 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Sllovenisë.

Akad. Skënder Gjinushi gjatë fjalës së tij në këtë aktivitet theksoi se, personalitete të tilla të kulturës e dijes si kompozitori Bojan Adamič kanë shenjuar e forcuar më së pari marrëdhëniet e miqësinë e kahershme midis dy popujve tanë.

“Dy popujt tanë, i bashkon tashmë e njëjta aspiratë: ajo e integrimit dhe bashkëjetesës në Evropën e Bashkuar si qytetarë të barabartë të saj”, tha akad.Gjinushi.

Fjala e plotë e akad. Skënder Gjinushi:

Kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhjen në këtë veprimtari kulturore dhe shkencore të përbashkët të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Ambasadës së Republikes së Sllovenisë në Tiranë.

Kjo veprimtari organizohet në nderim të një dite të shenjuar: të 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona si dhe të 30-vjetorit të vendosjes së bashkëpunimit të drejtpërdrejtë midis dy akademive tona.

Ia kemi kushtuar këtë veprimtari Bojan Adamič-it (Adamiç-it), një personaliteti me gjurmë të mirënjohura jo vetëm në Shqipëri e Slloveni, por dhe në shkallë rajonale, si kompozitor, dirigjent e fotograf.

Ka një domethënie specifike zgjedhja e kësaj figure, pasi personalitete të tilla të kulturës e dijes kanë shenjuar e forcuar më së pari marrëdhëniet e miqësinë e kahershme midis dy popujve tanë.

Është rasti këtu të kujtojmë atë traditë të shkëlqyer studimesh albanistike që ka ekzistuar në Slloveni shumë e shumë kohë më herët, para se të ekzistonin institucionet akademike kombëtare. Ne u jemi mirënjohës gjuhëtarëve të tillë si Jernej Kopitar; Franz Miklošič (Franc Mikloshiç) e Rajko Nahtigal, të cilët, qysh në shekullin XIX dhe më pas, u morën me gjuhën shqipe në rrafshin krahasimor me gjuhë të fqinjëve dhe në kuadër të gjuhëve të Ballkanit; me historinë dhe etimologjinë e saj.

Në këtë vit të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit do të veçonim rolin e gjuhëtarit Rajko Nahtigal, i cili kontribuoi edhe në procesin e njësimit të alfabetit të shqipes, duke përfshirë përgatitjen e Kongresit të Manastirit, pjesëmarrjen në Komisinë Letrare të Shkodrës, bashkëpunimin me Ndre Mjedën dhe intelektualë të tjerë të kohës për njohjen e shqipes së folur.

Në kuadër të bashkëpunimit ndërakademik apo jashtë tij, sidomos në tri dekadat e fundme, interesimi për albanologjinë në Slloveni ka vijuar të jetë konstant, objektiv dhe dashamirës. Traditën e gramatikanëve e vazhdoi profesori Marko Snoj, traditën e dokumentalistëve e vazhdoi Peter Štoka, me botimin e rëndësishëm Monumenta Albanica Justinopolitana, që u përurua tre vjet më parë pikërisht në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Sllovenisë. Ndërkohë ka vazhduar e pandërprerë tradita e hartuesve të fjalorëve dygjuhësh, e studimeve në fushën e antropologjisë së krahasuar dhe ajo e përkthimit të letërsisë.

Të njëjtin nderim e mirënjohje meriton prania e intelektualëve e krijuesve sllovenë si kontribuues në jetën mendore e kulturore në Shqipëri.

Ndër ta kompozitori Bojan Adamič i kushtoi një pjesë të jetës së tij zhvillimit të jetës kulturore në Shqipëri në periudhën menjëherë pas fitores së luftës antifashiste, si kompozitor e dirigjent. I larguar nga vendi i tij për shkaqe ideologjike, ai u bë një figurë shumë e dashur për shqiptarët në një kohë tejet të vështirë, kur duheshin shëruar plagët e luftës dhe duhej përballuar gjendja e re.

Bojan Adamič është ndër ata intelektualë sllovenë që i kanë njohur Shqipërinë dhe shqiptarët duke jetuar pranë tyre përgjatë gjithë shekullit të kaluar, deri në periudhën e rindërtimit të vendit, e që janë shprehur me admirim në librat e tyre me kujtime për virtytet shqiptare.

Sllovenia ishte e para që u shkëput prej bashkimeve artificiale të imponuara, që bazoheshin mbi ndasitë e deri në shtypjen ndëretnike; mbi vlera e parime të kundërta me ato të Evropës së Bashkuar. Sllovenia ka mbështetur e uruar fitimin e të njëjtave të drejta e liri edhe për shqiptarët në Shqipëri e Kosovë. Ajo mbetet një shembull i suksesshëm i rrugës për t’u ndjekur, për të arritur standardet e Evropës së Bashkuar pas shkëputjes nga sistemi monist e federata e ish-Jugosllavisë. Ne ndodhemi në të njëjtën anë të historisë, në atë krah që e sheh të ardhmen në forcimin e zgjerimin e Evropës së Bashkuar e jo në rikthimin tek bashkimet e frymëzuara nga modelet e ish- Jugosllavia a ish-BRSS.

Edhe midis dy akademive tona ekziston një traditë e marrëveshje bashkëpunimi prej 20-vjetësh, mundësitë e reja bëjnë të nevojshme përditësimin e tyre, për t’u dhënë me shumë hapësirë veprimtarive të përbashkëta në nivel të instituteve dhe qendrave kërkimore që veprojnë në fusha të ndryshme si bioteknologjia dhe nanoshkenca, e sidomos në shkencat albanologjike. Edhe gjatë dy vjetëve të fundit studiues e kërkues nga Sllovenia kanë marrë pjesë si kontribuues në veprimtaritë tona. Në fillim të shtatorit do të organizohet në Shqipëri konferenca e 50-të ndërkombëtare e studiuesve të baladës, komiteti ndërkombëtar i së cilës kryesohet nga dr. Marjetka Golež Kaučič (Kauçiç), studiuese sllovene e etnofolkloristikës.

Ky jubile i dyfishtë, i marrëdhënieve midis dy shteteve dhe midis dy akademive njëherësh, le të na shërbejë si nxitje për të hedhur hapa të rinj bashkëpunimi përpara.

I uroj suksese kësaj veprimtarie, duke falënderuar edhe një herë bashkëorganizatorët e veçanërisht Ambasadorin e Sllovenisë, familjarët e Adamiç dhe ekspertët e ardhur nga Sllovenia, falënderime të veçanta edhe për Kryetarin e Akademisë për përshëndetjen e dërguar kësaj veprimtarie.

Në këtë aktivitet morën pjesë ambasadori i Republikës së Sllovenisë në Tiranë, Peter Japelj, Megi Fino, zëvendësministër në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme si dhe miq e kolegë, studiues të lidhjeve historike dhe shkencore shqiptaro-sllovene.

Kjo veprimtari u organizua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Ambasada e Republikës së Sllovenisë në Tiranë, në bashkëpunim me familjen Adamič dhe Akademinë e Muzikës në Slloveni.

/r.e/

The post Akad. Gjinushi: Kompozitori Bojan Adamič i kushtoi një pjesë të jetës zhvillimit kulturor në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.